
Fudbollisti brazilian Diego do të mer pjesë në Lojërat Olimpike edhe përkundër ndalesës nga ana e klubit të tij Verer Bremen.
Ylli brazilian i Verder-it të Bremen-it, Diego ka deklaruar se do të udhëtojë për në Pariz ku do të grumbullohet kombëtarja e Brazilit, e cila do të paraqitet në Lojrat Olimpike. Mesfushori i Verder-it ka publikuar vendimin definitiv, pasi që kishte biseduar me menaxherin e Verder-it, Klaus Allofs. Braziliani është paraqitur në testimet mjekësore të skuadrës, por më pas nuk morri pjesë në seancën stërvitore.
" Tani do të shkoj në Pariz në grumbullimin e kombëtares së Brazilit, dhe duhet të jem atje. Jam i nderuar që do të jem pjesëmarrës në Lojërat Olimpike, por njëkohësisht më vjen keq që do t'i mungoj skuadrës sime" – ka deklaruar Diego.
Drejtuesit e Verder-it nuk kanë ndryshuar vendimin paraprak për ndalesën e Diegos, dhe largimi i tij është pa pëlqimin e skuadrës.
Sipas menaxherit të brazilianit, skuadra e Verderit duhet të posedojë vërtetim me shkrim nga ana e FIFA-së, ku do të vërtetohet se klubi gjerman ka të drejtë që të ndalojë pjesëmarrjen e futbollistit në Lojërat Olimpike, dhe nëse kjo gjë ndodh, atëherë futbollisti menjëherë do të kthehet në Bremen.
"Është folur shumë rreth këtij problemi, por të rëndësishme për mua janë dokumentet. Unë i respektoj rregullat dhe nëse drejtuesit e Verderit posedojnë një dokument të tillë, unë menjëherë do të kthehem. Shpresoj që nëse gjejnë një dokument të tillë, ta paraqesin deri më 24 korrik"- është shprehur Diego rreth situatës së fundit. Përfaqësuesja e Brazilit një ditë më vonë nga Parizi udhëton për në Singapur, ku do ti realizojë përgatitjet për Lojërat Olimpike. /alsat-m/





